Informacione për vizat nga Ambasada në Tiranë
Kërkesat për vizë
Shtetasit shqiptarë që kanë një pasaportë biometrike të vlefshme, nuk kanë nevojë për vizë qëndrimi afatshkurtër për të hyrë në Slloveni.
Tarifat konsullore
Tarifat konsullore mund të paguhen në Ambasadë në euro me para në dorë (cash).
Politika për vizat Shengen dhe vizat e tjera
Si palë nënshkruese e Marrëveshjes së Shengenit, Sllovenia zbaton politikën e përbashkët të vizave me BE. Regjimi i vizave që ajo aplikon është pjesë e acquis communautaire të Bashkimit Evropian dhe bën dallimin ndërmjet vendeve shtetasit e të cilëve kanë nevojë për vizë për të hyrë në Republikën e Sllovenisë, si dhe në vende shtetasit e të cilëve nuk kanë nevojë për vizë.
Misionet diplomatike dhe konsullore sllovene lëshojnë viza tranzit Aeroporti (A) viza për qëndrim afatshkurtër (C) dhe viza kombëtare (D). Për t'u pajisur me vizë, shtetasi i një vendi të tretë duhet të paraqesë dokumentacionin e kërkuar dhe të përmbushë kërkesat e përcaktuara me ligj.
Viza tranzit aeroporti (A) dhe viza për qëndrim afatshkurtër (C)
Vizat e Tipit A
Vizat tranzite të aeroportit “A” iu lëshohen të huajve kur kalojnë zonën e tranzitit ndërkombëtar të një aeroporti, që ndodhet në territorin e Shteteve Anëtare në tranzit, dhe që nuk hyjnë në Zonën Shengen. Kjo lloj vize u jepet vetëm shtetasve të vendeve të listuara në Shtojcën IV të Rregullores (KE) nr. 810/2009 – Kodi i Vizave.
Vizat e Tipit C
Viza e tipit C është një leje hyrjeje e lëshuar për një shtetas të një vendi të tretë, për të ashtuquajturin qëndrim të shkurtër (deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore). Numri i ditëve të lejuara mund të llogaritet me anë të një llogaritësi online lëshohet në formën e një etikete të ngjitur në një pashaportë të vlefshme.
Një aplikim për vizë duhet të dorëzohet në mënyrë specifike në shtetin Shengen që është destinacioni kryesor i udhëtimit. Kjo lloj vize mund të lëshohet edhe nga shtete të tjera Shengen në emër të Sllovenisë, me kusht që Sllovenia të ketë lidhur një marrëveshje përfaqësimi me to.
Në përputhje me nenin 22 të Rregullores (KE) Nr. 810/2009, shtetasit e disa vendeve të treta i nënshtrohen konsultimeve paraprake me autoritetet qëndrore të shteteve të tjera anëtare.
Si rregull, aplikimi për vizë duhet të dorëzohet të paktën 15 ditë kalendarike përpara vizitës së planifikuar dhe mund të dorëzohet deri në gjashtë muaj përpara fillimit të saj. Detarët që janë në ushtrim të detyrës mund ta dorëzojnë aplikimin nëntë muaj përpara fillimit të vizitës së planifikuar.
Dorëzimi i aplikimit
Është përgjegjësi e aplikantit të marrë masat e nevojshme për respektimin e afateve. Aplikimet e dorëzuara më pak se 15 ditë kalendarike përpara nisjes së planifikuar mund të pranohen, por koha e shqyrtimit mund të jetë deri në 15 ditë kalendarike. Nëse aplikanti këmbëngul ta dorëzojë aplikimin, duhet të mbajë parasysh se vendimi përfundimtar mund të merret pas datës së planifikuar të nisjes.
Si rregull i përgjithshëm, të gjithë aplikantët duhet të paraqiten personalisht për marrjen e gjurmëve të gishtërinjve, në misionin diplomatik ose postin konsullor, ose në ambientet e një ofruesi të jashtëm shërbimesh të autorizuar për të mbledhur aplikime për vizë në emër të Sllovenisë.
Ndërmjetësit tregtarë të akredituar dhe shoqatat ose institucionet profesionale, kulturore, sportive apo arsimore lejohen të dorëzojnë aplikime në emër të individëve, drejtpërdrejt në misionin diplomatik ose postin konsullor, ose në ambientet e një ofruesi të jashtëm shërbimesh. Çdo formular aplikimi duhet të nënshkruhet nga aplikanti dhe gjurmët e gishtërinjve nuk mund të merren nga ndërmjetësit tregtarë.
Shoqatat ose institucionet profesionale, kulturore, sportive apo arsimore duhet të marrin miratimin paraprak të misionit diplomatik ose postit konsullor slloven përpara se të dorëzojnë aplikime në emër të aplikantëve individualë, për shembull të ekipeve sportive.
-
Aplikimi për Vizë Shengen C - Sllovenisht/Anglisht
- Application for Schengen Visa C - Slovene/English (docx, 46 KB)
Lista e dokumentacionit bazë:
- Një pasaportë me të paktën dy faqe bosh. Pasaporta duhet të jetë lëshuar brenda 10 viteve të fundit. Pasaporta duhet të jetë e vlefshme për të paktën 3 muaj pas kur synoni të largoheni nga Zona Shengen, ose, në rastin e udhëtimeve të shumëfishta, pas datës në të cilën keni ndërmend të largoheni pas qëndrimit të fundit;
- Një formular aplikimi për vizë i plotësuar dhe i nënshkruar. Çdo person që shfaqet në dokumentin tuaj të udhëtimit duhet të plotësojë një formular të veçantë aplikimi. Formulari i aplikimit për vizë për një fëmijë nën 18 vjeç duhet të nënshkruhet nga njëri prej prindërve ose nga kujdestari ligjor;
- Një fotografi e kohëve të fundit sipas standarteve ICAO;
- Në vendet ku funksionon Sistemi i Informacionit të Vizave, gjurmët tuaja të gishtërinjve do të merren kur të dorëzoni aplikimin tuaj (ekzistojnë përjashtime për kategori të caktuara aplikantësh);
- Tarifa për vizë duhet të paguhet në momentin kur dorëzoni aplikimin tuaj;
- Tarifa e shërbimit duhet të paguhet nëse ju kërkohet ta dorëzoni aplikimin pranë zyrave të një ofruesi shërbimesh;
- Sigurimi mjekësor i udhëtimit duhet të mbuloj ndihmën mjekësore urgjente, shtrimin në spital dhe riatdhesimin (përfshirë rastet e vdekjes). Mbulimi minimal duhet të jetë 30,000 euro. Ky sigurim duhet të mbulojë të gjithë zonën Shengen gjatë gjithë kohëzgjatjes së qëndrimit;
- Letër Garancie ose Ftesë e nënshkruar nga personi/kompania/organizata që ju ka ftuar në Slloveni dhe që duhet të jetë e çertifikuar dhe e regjistruar në njësinë administrative përkatëse në Slloveni;
- Dokumente të ndryshme në lidhje me qëllimin e qëndrimit tuaj, dëshmi të mjeteve financiare për qëndrimin tuaj dhe për akomodimin.
Dokumentacioni mbështetës
Dokumentet mbështetëse që duhet të dorëzojnë aplikantët për viza qëndrimi afatshkurtër në Shqipëri.
Tarifat
- 90 euro – personat mbi 12 vjeç.
- 45 euro – fëmijët nga mosha 6 deri në 12 vjeç.
- 35 euro – shtetasit e Armenisë, Azerbajxhanit, Bjellorusisë.
- 67,5 euro – shtetasit e Kepit të Gjelbër, në përputhje me Marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kepit të Gjelbër për lehtësimin e dhënies së vizave me qëndrim afatshkurtër për qytetarët e Republikës së Kepit të Gjelbër dhe të Bashkimit Evropian.
Disa aplikantë për vizë janë të përjashtuar nga tarifa e vizës.
Gjithashtu, disa kategori të qytetarëve bjellorusë janë të përjashtuar nga pagesa e tarifave të vizave. Për informacion më të detajuar, mund të lexoni Marrëveshjen mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Bjellorusisë për lehtësimin e pajisjes me viza, duke marrë në konsideratë që zbatimi i marrëveshjes së sipërpërmendur është pezulluar përkohësisht, që nga dt. 11 nëntor 2021, në përputhje me Vendimin e Këshillit (BE) 2021/1940, dt. 9 nëntor 2021, mbi pezullimin e pjesshëm të zbatimit të Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Bjellorusisë për lehtësimin e dhënies së vizave.
Vendet ku mund të aplikoni për vizë afatshkurtër
Ju mund të aplikoni në Ambasadën e Sllovenisë në Tiranë.
VIS (Sistemi i Informacionit të Vizave të BE-së)
Gjatë procedurës së vizës, aplikanti duhet të japë shenjat e 10 gishtërinjve për t'u identifikuar në sistemin VIS, si edhe një fotografi. Të dhënat ruhen për 5 vjet nga përfundimi i procedurës. Sistemi është krijuar për të lehtësuar identifikimin dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet Shteteve Anëtare.
Ju mund të kërkoni një rishikim, modifikim ose fshirje të të dhënave nga sistemi VIS.
Anëtarët e familjes së nënshtetasve të BE-së, subjekt i Direktivës 2004/38/EC
Anëtarët e familjes së qytetarëve të BE-së, që kanë ushtruar të drejtën e tyre për lëvizje të lirë (që do të thotë se një qytetar i BE-së banon në një shtet anëtar të ndryshëm nga vendi i tij ose i saj i origjinës, ose që udhëton në një shtet tjetër anëtar) përfitojnë disa lehtësira procedurale.
Kërkesat themelore që aplikanti të merret parasysh në këtë kategori përfshijnë:
- Një nënshtetas i BE-së ka ushtruar të drejtën e tij/saj për lëvizje të lirë.
- Anëtari i familjes (kërkuesi) i përket njërës prej kategorive të përfshira në Direktivën 2004/38/EC.
- Një anëtar i familjes (aplikanti) që shoqëron ose bashkohet me një shtetas të BE-së në destinacionin e Zonës Shengen.
Anëtarët e familjes së shtetasve të BE-së që janë subjekt i Direktivës 2004/38/EC kanë të drejtë:
- Trajtim prioritar në përcaktimin e afatit kohor për dorëzimin e aplikimit, në rast se kërkohet afati kohor
- Përpunimi i aplikimeve për viza pa pagesë
- Përpunimi i aplikimeve për viza sipas një procedure të shpejtë
Viza afatgjatë (D)
Viza e tipit D është një leje hyrje dhe qëndrimi jo më pak se 90 ditë dhe jo më shumë se një vit, e cila i lejon mbajtësit, në përputhje me dispozitat e ligjit për të huajt, të aplikojë për leje qëndrimi drejtpërdrejt në njësinë administrative, në rastet e justifikuara. Viza e tipit D nuk mund të zgjatet. Aplikimi për këtë lloj vize mund të bëhet nga shtetas të vendeve të treta, që i përkasin njërit prej grupeve të përcaktuara në nenin 20 të ligjit për të huajt. Për vizë D mund të aplikojnë edhe shtetasit e vendeve të treta që vijnë nga vende pa regjim vizash.
Në mënyrë që të pajiseni me vizë D, është e rëndësishme që të dorëzoni formularin e aplikimit për vizë dhe dokumentat e kërkuar.
-
Formulari për aplikimin për vizë afatgjatë (D)
- Application for long-term Visa - Slovene/English (pdf, 181 KB)
Dokumentat bazë për vizën e tipit D:
- Formulari i plotësuar i aplikimit për vizë qëndrimi afatgjatë (D)
- Një pasaportë e vlefshme;
- Fotografi me përmasat 45x35 mm, sipas standarteve ICAO.
- Sigurimi mjekësor i udhëtimit (i cili mbulon koston e shërbimeve mjekësore dhe riatdhesimit të paktën deri në 30,000 euro për të gjithë periudhën e vlefshmërisë së vizës);
- Pagesa e tarifës së vizës prej 77 eurosh, përveç rasteve kur aplikanti është anëtar i ngushtë i familjes së një shtetasi të Republikës së Sllovenisë, ose i një shteti tjetër anëtar të BE-së;
- Dokumentet specifike (më poshtë) për të demonstruar qëllimin e qëndrimit afatgjatë.
-
Dokumenta specifikë për vizën D, sipas qëllimit të qëndrimit
Gjatë proçedurës së dhënies së vizës së tipit D për bashkim familjar, kryhet një intervistë e njëkohshme me aplikantin për vizë (në Ambasadë) dhe bashkëshortin ose partnerin në Slloveni (në Njësinë Administrative) për të vërtetuar vlefshmërinë e martesës.
Leja e qëndrimit për të huajt, në Republikën e Sllovenisë
Një i huaj që dëshiron të qëndrojë në Republikën e Sllovenisë për arsye të ndryshme nga ato të lejuara në bazë të vizës, duhet të pajiset me një leje qëndrimi. Leja e qëndrimit i lejon mbajtësit të hyjë dhe të qëndrojë në vend, për një periudhë të caktuar kohore dhe për një qëllim të caktuar, ose qëndrim për një kohë të pacaktuar, në rast se plotësohen kushtet për qëndrim të përhershëm. Kushtet për dhënien e lejes përcaktohen në Ligjin për të Huajt. Autoriteti kompetent vendimmarrës është Njësia Administrative. Leja e parë e qëndrimit në Republikën e Sllovenisë lëshohet si leje qëndrimi e përkohshme dhe duhet të merret nga një i huaj përpara se të hyjë në vend (më shumë informacion në Infotujci.si).
Informacion për mbrojtjen e të dhënave personale
Informacion për aplikantët për mbrojtjen e të dhënave personale
* Të gjitha përkthimet në këtë faqe interneti janë jozyrtare. Vetëm tekstet origjinale në gjuhën sllovene të ligjeve dhe rregulloreve kanë fuqi juridike; përkthimet shërbejnë vetëm si materiale referuese për të ndihmuar në kuptimin e ligjeve dhe rregulloreve sllovene. Qeveria e Republikës së Sllovenisë nuk mban përgjegjësi për saktësinë, besueshmërinë ose përditësimin e përkthimeve të publikuara në këtë faqe, as për pasojat që mund të rrjedhin nga përdorimi i informacionit në të. Për interpretimin dhe zbatimin e ligjit në çdo çështje ose mosmarrëveshje juridike, përdoruesit duhet t’u referohen teksteve origjinale në gjuhën sllovene, të botuara në Gazetën Zyrtare të Republikës së Sllovenisë.